Shqetësimin për njëri-tjetrin e patën të njëjtë, por as kryeministri Albin Kurti e as kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk lëshuan pe.
Me përkrahjen nga kryeqyteti, i pari i qytezës më veriore po vazhdon atë që kryeministri e quan “qëndresë shembullore”.
Ndonëse ka emëruar disa drejtorë të dikastereve të ndryshme – shumicën të komunitetit serb – Hetemi është i vetmi punëtor i komunës në këtë ndërtesë.
Ai nuk tregoi sa vendime i ka marrë e as nuk foli për shërbimet komunale, në komunën ku administrata ka dy muaj që nuk punon.
Vetëm tri automjete të KFOR-it qëndrojnë para ndërtesës, teksa vërehet numër dukshëm më i ulët i ushtarëve brenda perimetrit – që më s’është me gjemba.
Grupe të vogla njerëzish vazhdojnë protestën, nën çadra ose në kafene.
Në oborrin e komunës, përreth ndërtesës nuk shihet Policia e Kosovës, por brenda ka pjesëtarë të saj.
Rreth 20 kilometra nga ndërtesa qendrore komunale, në fshatin Bistricë, vazhdon punën normalisht zyra e gjendjes civile.
“Zyra ka funksionu vazhdimisht gjatë gjithë kohës, asnjëherë nuk e ka ndërprerë punën zyra. Interesimi ndoshta është pak më i vogël se përpara, megjithëse ka shumë të interesuar. Edhe me ardhjen e mërgimtarëve normal që shtohet puna”, tha Avdullah Bekteshi, zyrtar i Gjendjes Civile në Bistricë, Leposaviq.
Aty ofrohen shërbimet bazike të gjendjes civile.
“Zakonisht këtu bëhen regjistrimet në gjendjen civile, lëshimi i dokumenteve të gjendjes civile, siç janë: certifikatat, ekstraktet e dokumentet e ngjashme”, tha Bekteshi.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb – shumicë në këtë komunë, Lulzim Hetemi u zgjodh kryetar i Leposaviqit.
Pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdojnë ta kundërshtojnë Hetemin, në protestat që nisën më 26 Maj, të cilat për disa javë ishin të dhunshme, përfshirë sulme ndaj Policisë dhe gazetarëve. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:





