PËRGATITI: ARMAND HOTI
Që nga paslufta, shumë qeveri të Kosovës deklaruan se do ta paditin Serbinë për gjenocid. Deri më tani kjo çështje ka mbetur në mes të deklaratave, derisa ekziston shqetësimi se me kalimin e kohës rrezikohet humbja e dëshmitarëve. Kurse, sipas juristëve, derisa krimet nuk janë ende mirë të dokumentuara, padia mund edhe të refuzohet.
Mbi 13 mijë njerëz u vranë, mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre. 20 mijë gra përjetuan dhunë seksuale, kurse ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 personave, pjesa dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë.
Por, përveç premtimeve, Kosova akoma nuk ka ushtruar padi kundër Serbisë për gjenocid ndaj popullsisë shqiptare, gjatë luftës së fundit, ndonëse u deklarua shpesh.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, druan se çdo ditë që kalon, pa marrë hapa konkretë në realizimin e këtij qëllimi, është humbje për Kosovën.
Jemi shumë vonë, sepse po rrezikojmë t’i humbim dëshmitarët, dëshmitarë të masakrave, të dhunimeve, të vrasjeve të shumta që kanë ndodhur, dhe kjo në drejtësi e luan një rol shumë të rëndësishëm dhe këtu besoj që deri më tani jemi dëmtuar shumë. Ne duhet të fillojmë duke mbledhur fakte për dokumentim, ne kemi arkiva, por ende janë sipërfaqësore nuk kemi detaje.
Teksa bën thirrje për unifikim, deputetja Musliu shprehet se PDK-ja do ta përkrahë pushtetin në ushtrimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Absolutisht, në çdo aspekt, jo vetëm timin, por edhe të PDK-së, dhe të gjithë spektrit politik, sepse duhet ta ketë. Jo vetëm kjo qeveri por secila qeveri që fillon procesin për padi duhet ta ketë përkrahjen.
Por, a ekziston ndonjë mundësi ligjore, që Kosova të ushtrojë padi të kësaj natyre kundër Serbisë?
Është e vështirë të jepet një vlerësim kategorik. Sepse goxha punë përgatitore duhet dhe sigurisht vlerësimi pra është pranueshmëria e kësaj kërkese, prandaj ka dyshime se mund të shpallet e pranueshme nëse ky është momentum i duhur.
Para Kosovës, Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovina ushtruan padi për gjenocid kundër Serbisë. Mirëpo, Serbia nuk u shpall fajtore në asnjërin rast.
Ndërkaq, në muajin maj, kryeparlamentari Glauk Konjfufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pa hyrë në detaje, përmendën se është duke u punuar në përgatitjen e padisë për gjenocid.