Përgatiti: Benita Zeneli
Deputetët u bënë bashkë për të mbajtur seancë këtë të mërkurë.
Por edhe pse opozita ishte prezente, ajo nuk mori pjesë në asnjë votim.
Andaj për kalimin e projektligjeve u kërkua më shumë vëmendje nga deputetët e pushtetit.
“Arsyeja përse kemi ardhur në seancë është për t’i miratuar këto projektligje”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Me votat e pozitës disa projektligje u miratuan, por për disa votat e tyre nuk mjaftuan.
Marrëveshjet ndërkombëtare u shtynë për një seancë tjetër.
“Po e shoh që nuk ka atmosferë që të votohen dhe kërkoj nga Sekretaria e Kuvendit që pikën e 6, 7 dhe 8, të tria marrëveshjet ndërkombëtare të barten kurdo që ka mundësi Kuvendi t’i trajtojë në ndonjë seancë të ardhshme”, tha Konjufca.
Por, për projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fetilizimin e asistuar mjekësor, si dhe atë për gjendjen civile pati kundërshtime edhe nga vetë deputetët e Vetëvendosjes.
Ndërkohë, opozita mori fjalën në kuvend për një propozim. Megjithatë, ajo u kërkua nga mazhoranca që të mos votohet.
Kritika nga opozita pati edhe për programin kombëtar për integrim evropian 2024-2028, por pavarësisht kësaj, programi u miratua.
Në Kuvend nuk i morën votat e mjaftueshme Projektrezoluta për përgjimet e Mimoza Kusari Lilës me Milan Radojcic, ajo për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Kosovës, e as ajo për skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.