14 C
Pristina
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shtyhet debati në Kuvend për qeverinë Kurti

Përgatiti: Benita Zeneli

Në seancë erdhi, por kryeministrit Albin Kurti nuk iu desh të qëndrojë gjatë në sallë. Fare pak deputetë iu përgjigjën ftesës së AAK-së për të marrë pjesë në seancën në të cilën do të diskutohej rreth tre vjetëve të qeverisjes Kurti.

Pas dakordimit të grupeve parlamentare u vendos që seanca të shtyhet.

“Vërtetë nuk do të ishte mirë që kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm. Është papërgjegjësi me pritë shumë gjatë, kështu që pritëm boll”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Megjithatë, një ballafaqim i kryeministrit Kurti me opozitën, sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, do të ndodhë.

“Ka vetëm vonim, se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrit me opozitën me gjitha këto tema. Debati do të ndodhë nuk ka qysh ikë, është i protokolluar në kryesi dhe kurdo që të jetë ai debat do të jetë ballafaqimi i të vërtetës dhe i një super-mashtrimi që ka ndodhur tash e tri vjet e gjysmë”, tha Tahiri.

Ndërkaq, PDK-ja tha se do ta përkrahë rezolutën e AAK-së në të cilën kërkohet dorëheqja e kryeministrit. Por, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë jo më larg se 30 maj.

“E humbasim mundësinë që qytetarët t’iu drejtohen kutive të votimit më datën 30 qershor apo 7 korrik, pra kjo është dita e fundit dhe ne nuk do t’i ndalim përpjekjet. Nuk jemi të interesuar të kemi shou të asaj dite kur do të përplasemi me fjalime për çështje të ndryshme politike, që tri vjet e gjysmë ne e kemi pasur ballafaqimin me këtë Qeveri dhe përtej shout mediatik që mund të prodhojë një seancë, përtej një cirku që mund të krijojë mendoj që më e rëndësishme është me i prodhu numrin e votave të mjaftueshme që janë 80 deputetë”, tha Tahiri.

Qeveria aktuale ishte betuar në mars të 2021-tës dhe tashmë ka hyrë në vitin e fundit të mandatit. Ndërsa, thirrja e kësaj seance u bë derisa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit ku për debat të tri vjet qeverisje ka aq pak deputetë në sallë e lëre më të mendohet për një situatë, e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë, përderisa nuk janë kryer të gjitha pikat, ka shumë pak pika të patrajtuara, por gjithashtu jemi në dinamikën dhe ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Pas vendimit për shtyrje të seancës datë e re për mbajtjen e saj nuk u caktua, por të hënën do të mbahet takim i kryesisë së Kuvendit, me ç’rast caktohet seanca e ardhshme dhe pikat e rendit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA