PËRGATITI: ARMAND HOTI
Mungesa e investimeve si dhe diskriminimi në baza etnike, po lë pa punë shumë shqiptar në Luginën e Preshevës. Ata që përfaqësojnë shqiptarët në Serbi, thonë se banorët, si pasojë e papunësisë po detyrohen ta lëshojnë vendin.
“Ne jemi komuna më e papunësuar në Serbi. Shkalla e papunësisë është dikur rreth 40 deri në 45 për qind”.
Shqiptarët, të cilët përbëjnë mbi 94 për qind të popullsisë në Preshevë, nuk po arrin të gjejnë vend pune në vendin ku shumë nga ta janë lindur e rritur.
Qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, nuk e ka për synim ta zhvillojë Preshevën, komunën më të re në territorin e saj.
“Ne bëjmë presion në insitucionet e Serbisë por ata vazhdojnë të mos bëjnë investime këtu dhe i largojnë investitorët”.
Në Serbi, shqiptarët po hasin vështirësi të gjejnë një vend pune edhe në institucionet publike të vendit.
“Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë është vetëm simbolik. Shumë më drastik është përfaqësimi jonë në sistemin e gjyqësorit, ku nga 13 prokuror, në një vend me 62 për qind shqiptar që janë në komunën e Bujanocit, janë vetëm tre shqiptar. Marrë parasysh se kjo komunë e mbulon edhe komunën e Preshevës që ka 95 për qind shqiptar”.
Të dhëna publike nuk posedojnë, por, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar pohojnë se Lugina e Preshevës, dita ditës po humbet njerëzit. Shkas për këtë janë pikërisht mundësitë e pakta për punësim.
“Kuadrot tona po përjashtohen. Ne jemi plotësisht jashtë institucioneve të Serbisë”.
Sipas kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, këto zhvillime kundër shqiptarëve të Luginës, pasqyrojnë përfundimin e procesit të integrimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
“Kjo është produkt i ndërprerjes së një procesi që filloi në vitin 2002, pra procesit të integrimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë”.
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po ashtu shprehen kritik edhe me qasjen e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë kundrejt këtyre trojeve. Ndërsa, kritika dhe zhgënjim shprehin edhe për faktorin ndërkombëtar.