INSTAT raportoi se në muajin shtator 2023, inflacioni (çmimet e konsumit) shënoi 4.1 për qind ose 0.1 për qind më lart se në gusht.
Kjo ngritje në Shqipëri, u nxit nga çmimet më të larta të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve arsimore.
Krahasuar me muajin shtator 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,9%, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 4,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,7%, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Shëndeti” me 1,4% dhe “Komunikimi” me 1,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 7,2%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,1%, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,3%, “fruta” me 7,5%, “peshk” me 4,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,3%, “bukë dhe drithëra” me 2,1%, etj.
Krahasuar me muajin gusht 2023, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u rritën me 1,7%, pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 1,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Veshje dhe këpucë” me 0,8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,4%, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2%, transmeton ATSh.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje.