Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në dalje të fshatit Kutalli, në bashkinë Dimal, ku një efektiv policie ka mbetur i plagosur me armën e tij të shërbimit nga një person i shoqëruar nga policia, raporton A2CNN.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi 45-vjeçar Z.S, person me precedentë të mëparshëm penalë, ishte konfliktuar mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe më pas ishte shoqëruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Siç raportohet, DVP Fier i kishte kërkuar Komisariatit të Policisë Kuçovë të dërgonte një patrullë për marrjen dhe transportimin e tij.
Gjatë kthimit, në aksin nacional Fier–Dimal, pranë daljes së fshatit Kutalli, 45-vjeçari, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit të policisë së bashku me efektivin 20-vjeçar A.T, ka arritur t’i marrë armën e shërbimit policit dhe ta qëllojë atë në kofshë.
Pas incidentit, Z.S ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Ndërkohë, polici i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal Berat, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie nga DVP Berat, si edhe inspektorë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po kryejnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./A2CNN





