Proceset e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë krijuar lodhje politike dhe institucionale, thotë ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ai, në intervistën zgjedhore të KosovaPress, thotë se vendi ka tejkaluar çdo formë normaliteti me zgjedhjet e vazhdueshme, teksa shton se kur përmenden zgjedhjet “e kap një mini-infarkt”.
“Kur përmenden zgjedhjet, më beso që kam një mini-infarkt. Sepse me të vërtetë kemi tejkaluar çdo formë normaliteti me tre, katër lloj zgjedhjesh, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Është me të vërtetë tepër dhe unë me hajgare kam thënë edhe disa kolegëve të mi, derisa nuk vijnë deri në atë formë sikur në Ukrainë, besoj në vitet ’90, kur qytetarët i kanë pritur deputetët duke dalë prej sallës dhe i kanë kapur, i kanë gjuajtur përreth kontejnerëve. Pak hajgare, por me të vërtetë sa herë po na duhet të dalim në zgjedhje, është boll. Kështu që po na vështirëson shumë neve”, thotë ai.
Rashiq i cili drejton Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë komenton edhe ofertën që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia kishte bërë Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëpunim politik dhe zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, oferta e Kurtit kishte qenë “gjeneroze” dhe “me vend”, ndërsa tha se ishte i befasuar nga refuzimi i saj nga LDK-ja.
“Mua më ka befasuar, së pari, oferta e zotit Kurti në atë kohë për LDK-në. Dhe edhe më shumë ka qenë befasi për mua refuzimi i LDK-së. Absolutisht po. Unë jam 20 vjet në politikë, siç thashë, kam qenë edhe ministër dhe në qeveri të mëhershme. Kam besuar që kjo do të ishte një ofertë shumë, siç keni thënë ju, gjeneroze dhe shumë me vend, por kur e pashë refuzimin, refleksi im i parë ka qenë se ishte gabim i LDK-së. Refleksi im i parë, po them kështu. Dhe tani, shikoni, çdo moment kur jeni në garë e ka një dozë rreziku. Është mirë të dalin në zgjedhje, mirëpo kur realizimet për qytetarët nuk janë ashtu siç keni pritur, atëherë duhet të merrni përgjegjësinë. Prandaj, e ka pasur ai momentum që një ofertë ka qenë e mirë. Në vendin e LDK-së, unë do ta kisha pranuar pa kurrfarë problemi”, shton Rashiq.
Duke folur për pozicionin e tij pas zgjedhjeve, Rashiq tha se, bazuar në përvojën e viteve të fundit, adresa e parë për bashkëpunim politik do të ishte sërish kryeministri në detyrë, Kurti.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike që, sipas tij, punojnë për interesat e Kosovës dhe të komuniteteve joshumicë.
Pas zgjedhjeve, po normale, sikur i kam thënë edhe më herët, bazuar në eksperiencën që kemi pasur disa viteve të fundit, normale që adresa e parë do të ishte zoti Kurti. Por absolutisht, unë pas 20 vitesh njihem personalisht me shumicën e përfaqësuesve, qoftë deputetë, qoftë kryetarë partish e kështu me radhë. Absolutisht jam i gatshëm të bisedoj me çdo person i cili do të mirën e Kosovës në formën e mbrojtjes së interesave të komuniteteve, në këtë rast mbrojtjen e interesave të serbëve. Absolutisht nuk kam problem të flas me këdo që është në tavolinë për bashkëpunim parimor ose zhvillim të përbashkët. Nëse gjejmë vetëm një element bashkëpunimi, unë jam aty që të bashkëpunojmë”, përfundon ai.





