Një arritje e rëndësishme shkencore është shënuar nga autori nga Kosova, Prof.asoc. Kujtim Thaçi, specialist i biokimisë klinike, i cili ka publikuar punimin e tij si autor i parë në bashkëpunim me prestigjiozen Harvard Medical School. Punimi është botuar në revistën shkencore ndërkombëtare Glycoscience & Therapy, të botuar nga Chinese Academy of Sciences, një ndër institucionet më të njohura kërkimore në botë.
Punimi hedh dritë për herë të parë mbi rolin kritik të glikozilimit të immunglobulinës IgG në zhvillimin e qasjeve të reja diagnostike dhe terapeutike për zbulimin e hershëm dhe menaxhimin pre dhe postnatal të Hemokromatozës neonatale, një sëmundje e rrallë, por serioze tek të sapolindurit.
Ky kontribut shkencor, me një qasje inovative dhe përmbajtje të thellë akademike, ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor ndërkombëtar, duke u përzgjedhur për botim nga një revistë me standarde të larta të vlerësimit shkencor.
Autori rekomandon që ky punim të lexohet gjerësisht nga profesionistët shëndetësorë dhe studiuesit, në veçanti nga imunologët, pediatrit dhe reumatologët, si një burim i rëndësishëm për avancimin e dijeve dhe praktikës klinike në këto fusha.