Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Pas mbylljes së aktivitetit të “tregut të fundvitit”, Komuna e Prishtinës planifikon që në muajt në vazhdim, në sheshin “Xhorxh Bush” të investojë.
Pavarësisht se disa grupe të qytetarëve po kërkojnë hapjen e këtij sheshi, Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë.
“Do të vazhdojmë me planin tonë meqë sipas analizave nuk del të jetë problematik…”, tha Musliu.
Duke folur për transformimet që do t’i ketë sheshi, Musliu, përsëri nuk iu gjeti vend mjeteve motorike.
“Do të bëhet si në vendet evropiane, por nuk do të lirohet për qarkullim….”, tha Musliu.
Në kuadër të planit të mobilitetit, mbyllja e sheshit ishte temë diskutimi edhe në qeverisjet e kaluara.
“Prishtina si i vetmi vend në rajon me planin e mobilitetit të kaluar në kuvendin komunal, natyrisht që ka menduar edhe për ketë pjesë infrastrukturore…”, tha asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.
Por, sipas këtij plani nuk parashihej mbyllje e tërësishme.
“Sipas planit, është paraparë vetëm një pjesë e sheshit…”, tha Mehmeti.
Sidoqoftë, qytetarët kanë mendime të ndryshme, sa i përket çështjes së rikthimit të rrugës në qarkullim apo jo.
“Nuk pajtohem, sidoqoftë po presim se çfarë kanë në plan me këtë rrugë”, thotë Dibran Gashi, qytetar.
“Gjithmonë është më mirë të ketë hapësirë më shumë për këmbësor, nuk mendoj që kjo rrugë nëse mbyllet shkakton problem në komunikacion”, tha Musa Aliu, qytetar.
“Nuk kanë bërë edhe shumë mirë me mbylljen e rrugës, hapësirë e tepërt”, tha Brahim Brahimi, qytetar.
Krahas kësaj, me qëllim të parandalimit të këtij projekti, të dielën, disa prej banorëve të kryeqytetit kanë paralajmëruar edhe protestë.





