17.4 C
Pristina
E shtunë, 18 Maj, 2024

Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kryeministri Kurti ua uron komunitetit rom

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në manifestimin e organizuar nga OJQ “Romani Baht” në bashkëpunim me Partinë Përparimtare Rome, të drejtuar nga deputeti Erxhan Galushi, në shënim të 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve.

Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përcolli një letër përshëndetëse te të pranishmit që u lexua nga këshilltarja e tij, Nurie Shala.

Më poshtë gjeni, letër përshëndetjen dhe urimin e plotë:

Të nderuar anëtarë të Partisë Përparimtare Rome,

I nderuar kryetar Erxhan Galushi,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Në pamundësi që të jem sot i pranishëm në festën tuaj, më lejoni që përzemërsisht të ju uroj Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë.

Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale.

Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome.

Jemi falënderues e mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e komunitetit rom në ndërtimin e vendit tonë. Shpresoj për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, për realizimin e synimeve të përbashkëta, për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie.

Edhe njëherë: Urime Dita e Romëve!

Bahtalo Romano Dive!

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA