Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedime me Danimarkën për të rritur praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, në një marrëveshje që mbetet më e kufizuar krahasuar me kërcënimet e mëparshme për ta marrë ishullin nën kontroll. Sipas një gjenerali të lartë, Washingtoni po kërkon qasje në tri baza, përfshirë dy ish-baza ushtarake amerikane të braktisura, për të ndërtuar pista ajrore dhe porte.
Kjo do të ishte zgjerimi i parë i pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë pas disa dekadash, por nuk arrin nivelin e planeve të mëparshme të Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit arktik ose për të krijuar baza amerikane me sovranitet të plotë.
Bisedimet po zhvillohen në kuadër të marrëveshjes së mbrojtjes të vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-së, e cila i lejon Amerikës të ndërtojë dhe zgjerojë objekte ushtarake në Grenlandë, territor autonom nën Danimarkë.
Aktualisht, baza hapësinore Pituffik është e vetmja bazë ushtarake amerikane në Grenlandë, e vendosur në veriperëndim të ishullit. Ajo funksionon që nga marrëveshja e vitit 1951 dhe ka rol kyç në sistemin amerikan të paralajmërimit të hershëm, mbrojtjes raketore dhe mbikëqyrjes hapësinore.
Zëdhënësja e Komandës Veriore të SHBA-së, nënkolonele Teresa C. Meadows, tha se SHBA dëshiron të zgjerojë praninë pranë qytetit jugor Narsarsuaq dhe në Kangerlussuaq, në pjesën perëndimore të Grenlandës.
Qeveria daneze nuk komentoi menjëherë raportimin e New York Times, i cili citonte një prezantim të fundit të një gjenerali amerikan para ligjvënësve amerikanë dhe një zëdhënësi të ushtrisë amerikane.
The Telegraph mëson se për Danimarkën, dorëzimi i sovranitetit mbi Grenlandën në çfarëdo forme është vijë e kuqe. Kjo mund të ketë bërë që Kopenhaga të refuzojë më herët një propozim amerikan për baza sovrane, të ngjashme me modelin britanik në Qipro.
Sipas New York Times, gjenerali Gregory Guillot, shefi i Komandës Veriore të SHBA-së, u tha ligjvënësve amerikanë në mesin e marsit se ushtria po kërkon “qasje më të madhe në baza të ndryshme në Grenlandë, për shkak të rritjes së kërcënimeve dhe rëndësisë strategjike të ishullit”.
Danimarka duket se e sheh marrëveshjen me SHBA-në si një zbutje të qëndrimeve të mëparshme amerikane për Grenlandën, por në vetë Grenlandën ka shqetësime për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane dhe pasojat mjedisore që mund të sjellë ndërtimi i bazave të reja.
Tensionet mes Washingtonit dhe Kopenhagës u rritën në janar, pasi Donald Trump kërcënoi se mund ta merrte Grenlandën me forcë, duke e arsyetuar me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Pas kësaj përplasjeje diplomatike, të dy vendet ranë dakord të zhvillojnë negociata për çështjet e sigurisë dhe për mundësinë e zgjerimit të bazave ushtarake amerikane në ishull.
Trump kishte deklaruar më herët se SHBA duhet të marrë kontrollin e Grenlandës për shkak të rritjes së pranisë së Kinës dhe Rusisë në rajonin e Arktikut. Ai pretendoi gjithashtu se ujërat përreth Grenlandës ishin të mbushura me anije ruse dhe kineze, por këto deklarata u hodhën poshtë nga autoritetet daneze, ekspertët e sigurisë dhe monitoruesit e trafikut detar, të cilët i cilësuan si të pavërteta.





