Përgatiti: Benita Zeneli
Pas disa muajsh miratimi në Kuvend, Ligji për skemën pensionale rrezikon sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dorëzoi ligjin te Avokati i Popullit me kërkesë që më pas Avokati ta dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese.
Deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kërkesa kryesore është largimi i kushtit për 15 vjet përvojë pune, me qëllim të përfitimit të pensionit kontributdhënës.
“Këta që nuk e plotësojnë kushtin 15 vite punë shkojnë me skemën bazike të pensioneve me 100 euro, që e ka instaluar Kosova disa vite më herët. Ky ligj për opinionin është që nga viti i kaluar askush nuk përfiton nga ky ligj, për shkak asnjë nuk i plotëson 15 vite punë, ky ligj është jofunksional, nuk ka nevojë të ekzistojë fare, nëse nuk largohet 15 vite mund të shpallet si i vdekur”, tha Dreshaj.
Avokatit të Popullit iu drejtua edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ndërkohë, kërkesën për shqyrtim Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese duhet ta parashtrojë brenda afatit prej gjashtë muajve, pas hyrjes në fuqi të aktit të kontestuar.
Ndërkaq, në gazetën zyrtare ligji është publikuar më 16 gusht 2023, prej edhe kur është në fuqi.





