Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për t’u distancuar nga Pekini, Serbia po vazhdon ta thellojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën. Këtë herë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se vendi do ta rrisë numrin e raketave kineze CM-400, të blera në muajin mars.
Gjatë një stërvitjeje ushtarake të organizuar me rastin e Vidovdanit, Vuçiç i cilësoi raketat CM-400 si “të frikshme”, duke bërë të ditur se Serbia do të investojë në shtimin e këtij arsenali.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), në periudhën 2020–2024, 57 për qind e importeve të armëve të Serbisë kanë ardhur nga Kina, ndërsa Rusia renditet e dyta me 20 për qind.
Vuçiç njoftoi gjithashtu se pilotët serbë kanë nisur trajnimet për përdorimin e avionëve luftarakë francezë Rafale, duke shtuar se pas dorëzimit të tyre Serbia do të blejë edhe avionë të tjerë luftarakë dhe për trajnim.
Ai ritheksoi se Serbia do të vazhdojë politikën e neutralitetit ushtarak, duke deklaruar se pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Beogradi synon të rifillojë stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët.





