Kolegji AAB

Pesë ankesa në PZAP ndaj rezultateve zgjedhore, KQZ pret vendimet para certifikimit

Pesë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë për momentin procesin e certifikimit të rezultateve.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të PZAP-it, ankesa janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe (Srpska Lista) dhe Nova Demokratska Stranka (NDS). Dy ankesa janë dorëzuar nga PDK, dy nga NDS dhe një nga Lista Serbe.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për Telegrafin se KQZ nuk komenton çështjet që ndodhen në procedurë ankimore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor. Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, ka thënë Elezi.

Ai shtoi se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.

“Pasi ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Elezi.

Ankesat e paraqitura kanë të bëjnë kryesisht me pretendime për parregullsi me votat dhe mungesë të votave.

Pas vendimmarrjes së PZAP-it, palët do të kenë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme, përpara se KQZ të mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA