Sandro Tonali ishte protagonist në fitoren e Newcastle në finalen e “Carabao Cup” kundër Liverpool-it, duke i dhuruar klubit të tij një trofe që mungonte prej 70 vitesh. Një triumf historik që ka ndezur tifozët dhe që për ish-mesfushorin e Milanit është vetëm hapi i parë drejt rikthimit të ekipit në elitën e futbollit europian:
Tudor debutoi me fitore në stolin e Juventusit: Luajtëm me zemër, duhet t’i kënaqim tifozët tanë
“Finalja ishte fantastike. Ta fitonim këtë trofe pas 70 vitesh ishte diçka e pabesueshme, ndoshta shijohej për herë të parë nga shumë tifozë tanët që ishin në ‘Wembley’. Ky sukses është i veçantë për të gjithë qytetin e Newcastle, sepse këtu çdo ndeshje përjetohet me pasion, çdo person e mbështet ekipin me dashuri, qoftë lojtarët, stafin apo çdo anëtar të klubit”.
Tani, fokusi është i kthyer tek sfida e ardhshme, kualifikimi në Ligën e Kampionëve: “Na pret një periudhë e vështirë, sepse çdo ndeshje është e komplikuar, por duhet ta sigurojmë me çdo kusht kualifikimin në Champions. Me pesë ekipe që mund të kualifikohen, kemi një mundësi më shumë, por mbetet mision aspak i lehtë. Kemi vetëm një rrugë, gjithsesi, të kualifikohemi”.
Tonali zbuloi gjithashtu një detaj interesant mbi raportin e tij me rrjetet sociale, duke treguar se i përdor në mënyrë të kufizuar: “I përdor vetëm për familjen time, për asgjë tjetër. I shoh ndoshta pas ndeshjes për të parë ‘highlight’-et, por jo për merkaton. Ka qenë kështu qysh kur isha 17 vjeç, nuk iu kam dhënë kurrë shumë rëndësi thashethemeve”.