Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka dorëzuar një padi për shpifje dhe kompensim të dëmit moral kundër Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Padia vjen pas deklaratave të Kurtit , ku ai pretendoi se Lushtaku kishte tentuar të bënte ndeshje komunikacioni me eskortën kryeministrore.
Sipas dokumentit të publikuar nga Lushtaku, padia e ushtruar përmes avokatit Labinot Vata, e cilëson deklaratën e Kurtit si të pavërtetë, shpifëse dhe me qëllim dëmtimin e rëndë të reputacionit dhe integritetit të Lushtakut.
Në argumentet e paraqitura në padi, pala mbrojtëse e Lushtakut thekson se këto deklarata e paraqesin klientin e tyre si person që ndërmerr veprime “të rrezikshme, të dhunshme dhe potencialisht kriminale”, pa pasur asnjë bazë faktike.
“Nuk ka asnjë vendim apo provë. Nuk ekziston asnjë aktgjykim, aktvendim, procesverbal apo sanksion administrativ nga organet e rendit që mbështet pretendimet e kryeministrit.”, thuhet në deklaratë.
Padia specifikon se Sami Lushtaku “prej vitesh nuk drejton personalisht automjete”, çka sipas mbrojtjes e bën deklaratën e Kurtit krejtësisht të pabazuar dhe absurde, duke qenë se ai paraqitet si shofer i mjetit që ka rrezikuar eskortën.
Para se t’i drejtohej gjykatës, avokati i Lushtakut i kishte dërguar Kurtit një kërkesë zyrtare përmes postës elektronike për tërheqjen e deklaratave dhe kërkim falje publike, në pajtim me Nenin 12 të Ligjit për Shpifjen dhe Fyerjen. Pasi nuk kanë pranuar asnjë përgjigje apo reagim nga ana e Kryeministrit, pala paditëse ka iniciuar procedurën gjyqësore.
Vlera e dëmit moral në këtë padi është lënë *e papërcaktuar*, ndërsa kërkohet që gjykata t’i cilësojë këto deklarata si shpifje që kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e Lushtakut në opinionin publik.
Baza e kësaj padie është një intervistë e Kryeministrit Albin Kurti.
“Kryetari i Komunës së Skenderaj, me veturë zyrtare, 2Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku isha unë… ka synu që ta ndërpresë qarkullimin e eskortës tonë, në mënyrë të dhunshme, me veturë zyrtare të Komunës së Skenderaj… ka pas tentim për rrezik.”, ka deklaruar Kurti.





