Përgatiti: Arton Hamiti
Në pamje të parë duket objekt i braktisur. Por godina gjashtë-katëshe që filloi së ndërtuari para pandemisë, ishte planifikuar t’u shërbente 300 mijë banorëve të Ferizajt dhe komunave përreth.
Teksa për gjashtë vjet, janë kryer vetëm punët e vrazhda, Qeveria të mërkurën miratoi inicimin e procedurave për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt me vlerë të përgjithshme prej 27 milionë eurove.
“Në këtë ri-projekt që na u është dorëzuar neve, duhen investime të cilat do ta përforcojnë strukturën e spitalit dhe për të vazhduar me punët siç është dashur prej fillimit që fatkeqësisht nuk kanë ndodhur”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, raporti i hartuar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, tregon për cilësi të dobët të punimeve.
“Statika e nuk ofron siguri. Kemi gjetur se një shtyllë ka devijime nga toka në tavan për 13 cm. Po ashtu, pllakat mes kateve nuk kanë sasi të betonit dhe elemente të tjera që ofrojnë siguri”, tha Vitia.
Por, sipas zëdhënësit të Komunës, arsye kryesore për zvarritjen e punimeve janë inatet politike.
“Qeverisja aktuale kur erdhi në pushtet nuk e qoj përpara projektin. Ne kemi ofruar mbështetje dhe ofrojmë sepse si komunë na ka takuar vetëm ta ndajmë parcelën. Por kemi vërejtur hezitim pas pandemisë dhe kur kjo qeveri mori pushtetin sepse kryetari i Ferizajt vjen nga PDK-ja”, tha Selim Marevci, zëdhënës i Komunës se Ferizajt.
Sidoqoftë, spitali i shumë përfolur, kishte përfunduar edhe në Prokurori Speciale.
Bazuar në kallëzimin penal MSH-ja pretendonte se kjo kompani ka fituar tenderin me çmime manipuluese, meqë çmimet e punëve fillestare janë vendosur shumë më të larta se çmimet reale në treg, kurse për punët finale janë dhënë çmime nen vlerën e tregut.
Operatori ekonomik, sipas MSH-së, i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të larta, ndërsa kur është dashur t’i kryente ato që janë nën çmim të tregut ka kërkuar rishikim të projektit e 5 milionë euro shtesë. Vlera totale e projektit fillestar ishte 10.235.587.10 euro.





