Përgatiti: Driton Sadiku
47% me 18% ishte bilanci i buxhetit të shtetit mes Subvencioneve dhe Transfereve, me shpenzimet kaputale, për vitin e kaluar.
Pak a shumë ky është trendi i shpenzimit të parasë publike për katër vjet, nga qeveria që tash është në detyrë. Madje më 2022, shpenzimet kapitale ishin gati katër herë më të vogla se subvencionet dhe trasnferet. Por raport i tillë ishte edhe më 2020, në qeverinë Hoti, kur ishte edhe kohë pandemie.
Ekonomistët vlerësojnë se qeveria Kurti kishte tjetër qasje ndaj menaxhimit të parasë publike.
“Vendi dhe ekonomia zhvillohen me projekte kapitale, infrastrukturore që hap vende të reja të punës dhe krijon stabilitet. Sigurisht do të kishin impakt pozitiv, do kishte të hyra më shumë si për buxhetin, si për ngritjen e cilësisë së jetës dhe me siguri do të kishte rritje ekonomike”, tha Jakup Bellaqa, ekonomist.
Në disa raste, pati kritika se subvencionet nuk patën ndikim real në zhvillim ekonomik.
“Qeveria Kurti e ka orientuar buxhetin jo në interes publik por në interesa tjera të caktuara që e kanë lidhur me interesin e qeverisë e në veçanti duke i harxhuar mjetet pa planifikim dhe duke mos harmonizuar objektiven e përmbajtjes me qeverisjen e tij”, tha Kenan Gashi nga OJQ “Avonet”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, viti kur pati më së shumti shpenzime kapitale ishte 2008-ta, me 40%, në raport me subvencionet dhe transferet që ishin 28%.