Përgatiti: Armand Hoti
Rreth 120 asete që ndodhen në katër komunat veriore, janë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore që administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Por, referuar përgjigjes së AKP-së, një pjesë e tyre nuk janë nën administrimin e AKP-së. Faktikisht, ato janë të uzurpuara.
AKP-ja tashmë është në proces të identifikimit të këtyre aseteve.
“Në Mitrovicën e Veriut janë rreth 120 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore, përfshirë edhe Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin. Një numër i vogël i aseteve nuk janë nën administrim të AKP-së, përderisa AKP-JA është në proces të identifikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve për vënien në administrim edhe të këtyre aseteve”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Sipas ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, mosidentifikimi i aseteve të NSH-ve, përbën pengesa në procesin e privatizimit.
“Paraqet problem në procesin e privatizimit, pasi pa u identifikuar qartë pronësia e një aseti nuk mund as të iniciohet procesi i privatizimit të një parcele ose një aseti. Fakti që një pjesë e këtyre mbesin pa një status të përcaktuar si duhet, rrjedhimisht përbën edhe telashe në aspektin urbanistik të asaj pjese”, tha ish-drejtori i AKP-së, Ekrem Hajdari.
Hajdari tregon se shumica e aseteve të NSH-ve në veri janë objekte e lokale, teksa, sipas tij, tani ka kushte që asetet e uzurpuara të kthehen nën kontrollin e agjencisë.
“Kryesisht në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në komunat e tjera me shumicë serbe në pjesën veriore, janë lokale dhe objekte të ndryshme nuk ka, nuk besoj që ka shumë asete të natyrës tjetër, siç thatë ju bujqësore… me faktin që Policia ka vënë një kontroll të përgjithshëm në atë territor, mendoj që tani edhe ai rrjet i njerëzve që përpara i keqpërdornin këto asete, nuk është në funksion dhe tani është moment i mirë që ato gjëra të vihen nën kontrollin e AKP-së”, tha Hajdari.
Ndërkaq, dy ditë më parë, me asistencë të policisë, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, meqë prona në fjalë i takon Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça Standard”.






