19.5 C
Pristina
Tuesday, April 14, 2026

Ronaldinho në Netflix, magjia, lavdia dhe jeta e trazuar e një legjende të futbollit

Legjenda braziliane Ronaldinho rikthehet sërish në qendër të vëmendjes përmes një miniserie të re dokumentare nga Netflix, e cila sjell një portret të plotë të një prej figurave më magjepsëse në historinë e futbollit botëror. Dokumentari me titull “Ronaldinho Gaúcho: el único e inigualable”, që publikohet më 16 prill, zbulon jo vetëm magjinë e tij në fushë, por edhe jetën e tij plot ulje-ngritje jashtë saj.

Në këtë dokumentar, ish-ylli i Barcelonës dhe i Brazilit rrëfen me sinqeritet marrëdhënien e tij të veçantë me futbollin dhe gëzimin që i jepte loja: “Isha shumë i lumtur duke luajtur dhe njerëzit thoshin se ishin të lumtur duke më parë mua duke luajtur”. Kjo filozofi e thjeshtë e lojës e bëri atë një nga futbollistët më të dashur për tifozët në mbarë botën.

Vlerësimet për Ronaldinhon nuk mungojnë as nga emrat më të mëdhenj të futbollit modern. Lionel Messi ka pranuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm, duke thënë: “Ndoshta ai ishte më i rëndësishëm për mua sesa unë për të”. Ndërkohë, Neymar e përshkruan si futbollistin që “e bëri botën të dashurohej me futbollin”. Edhe vetë Ronaldinho nuk ka hezituar kurrë të shfaqë vetëbesimin e tij të madh: “E sheh gjithë këtë që quhet botë? Unë jam më i miri në të”.

Por dokumentari nuk ndalet vetëm te lavdia dhe momentet magjike në fushë. Ai sjell në pah edhe anën më të errët të jetës së tij, ku jeta e natës dhe festat ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në karrierë. Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Fernández, rrëfen një episod të bujshëm kur Ronaldinho kishte mbërritur në mëngjes herët, vetëm disa orë para një ndeshjeje.

Një nga momentet më të vështira të jetës së tij mbetet edhe arrestimi në Paraguaj për përdorim dokumentesh false, ngjarje që shënoi një periudhë të errët në jetën e ish-yllit brazilian.

Në dokumentar marrin pjesë edhe legjenda të tjera si Ronaldo Nazário, Roberto Carlos dhe Carles Puyol, të cilët ndihmojnë në ndërtimin e një tabloje të plotë të jetës dhe karrierës së një prej futbollistëve më karizmatikë dhe unikë që ka njohur ndonjëherë loja.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA