Përgatiti: Nora Luta
Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, tani nënkryetar i Skenderajt, Sami Lushtaku, erdhi të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë herë në cilësinë e dëshmitarit.
Por, dëshmia e Lushtakut në rigjykim në rastin “Veteranët”, nuk zgjati edhe shumë, pasi pati pak pyetje për të.
Ai tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë në gjykimin e kaluar dhe në prokurori.
Në deklaratën e tij më 2018, dhënë PSRK-së, ai kishte thënë se shifra prej 40 apo 46 mijë veteranëve në Kosovë, nuk përputhet me realitetin.
Por, Lushtaku thotë se procesi lidhur me listat e veteranëve në zonën ku ai ishte përgjegjës ka qenë në rregull.
Dëshmitari tjetër, Bujar Shala, është pyetur rreth kategorizimit dhe të dhënave që janë kërkuar në aplikacion. Disa aplikacione ishin pranuar vetëm me emër e mbiemër, pa të dhëna të tjera.
Gjykata pas propozimit të avokatit Ramë Gashi, për dëgjimin e mbi 2 mijë dëshmitarëve në këtë proces, ku po akuzohen për keqpërdorim me listat e veteranëve Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, dhe dhjetë persona të tjerë, ka vendosur që të ftohen 28.
Apeli e ktheu rastin në rigjykim, pasi shkalla e parë i kishte liruar të gjithë të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.






