PËRGATITI: T. ARIFAJ & K.TAHIRI
Gjykata më e lartë e Maqedonisë së Veriut ka vlerësuar se shkalla e parë, respektivisht Gjykata Themelore Penale nuk ka dhënë arsyetime të qarta kur vendosi që Blerim Ramadani, i dyshuar për krime lufte nga autoritetet e Serbisë, të mos ekstradohet në këtë shtet.
Kështu, Gjykata Supreme e ka kthyer në rishqyrtim vendimin asaj Penale të Shkupit, ndaj Ramadanit, i cili u arratis nga arresti shtëpiak më 15 gusht të këtij viti.
Vendimi i Supremes, megjithatë, sipas juristëve kosovarë, aktualisht nuk ka asnjë efekt juridik ndaj Ramadanit, i cili ndodhet në Kosovë.
Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua më 17 korrik, në pikën kufitare Jazhincë, në bazë të një urdhër arresti të Interpolit të Serbisë.
Pas arrestimit në Shkup i ishte caktuar masa e paraburgimit e cila më pas u zëvendësua me arrest shtëpiak në një adresë në Shkup, i cili vlente deri më 16 gusht. Por, më 15 gusht Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak dhe u kthye në vendlindje, gjë për të cilën ATV-ja raportoi ditë më parë.
Më 16 gusht, Ramadani i kishte thënë ATV-së se nuk është krenar për veprimin e tij, por thotë se ishte i nevojshëm.
Megjithatë, arratisjen e tij e kishin përshëndetur miqtë e tij nga lufta. Në anën tjetër, autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se janë në kërkim të Ramadanit.
Autoritetet serbe e kërkojnë Ramadanin për krime të supozuara të luftës të kryera në verën e vitit 1999, në rajonin e Nerodimës./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:





