Përgatiti: Fatlum Jashari
Një raport i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës konstaton se Ligji për Ndërtim, i cili është në fuqi nga vitit 2012, nuk ka koherencë të brendshme në 21 nene dhe nuk është i harmonizuar me 9 ligje të tjera.
Nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e Kodit Unik të Ndërtimit, të cilin Qeveria do të duhej ta miratonte 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.
Kodi do të përcaktonte vendosjen e kërkesave minimale për adresimin e fuqisë strukturore, hapësirave të emergjencës, sanitarisë, ndriçimit adekuat, ventilimit, qasjes, eficiençës së energjisë dhe sigurinë e jetës në lidhje me objektet, për të mbrojtur shëndetin publik, sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme të banorëve.
Duke konstatuar mos-zbatimin e ligjit në raport me Kodin, raporti rekomandon që ai të hiqet dhe në ligjin e ri të zëvendësohet me standardet apo kodet ndërtimore të Bashkimit Evropian.
Mes tjerash, raporti propozon që në ligji i ri të saktësojë se: “ndërtimi nuk mund të fillojë pa u pajisur me leje”, e po ashtu se “objekti nuk mund të përdoret pa u pajisur me certifikatën e përdorimit”.
Ligji vlerësohet QW bie ndesh në nenet që përcaktojnë llojet e ndërtimit dhe llojet për të cilat lëshohen lejet e ndërtimit.
Paqartësi e ndeshje kompetencash konstatohen ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, në lëshimin e lejeve në zonat e veçanta, e po ashtu edhe në dispozitën për përcaktimin e taksës administrative për pajisje me leje.
Vonesat për pajisje me leje ndërtimore, në shumë raste deri në një vit ose më shumë, sipas raportit, përbëjnë cenim të të drejtave qytetarëve.
Në kuadër të rekomandimeve lidhur me nenin për kundërvajtjet për shkelje të Ligjit për Ndërtim, propozohet të shtohet edhe kapitulli për veprat që lidhen me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtar, nga Kodi Penal.
Ndonëse nuk ka një shifër zyrtare, ndërtimet e reja gjithandej qyteteve në Kosovë janë shtuar vrullshëm, veçmas pas shpalljes së pavarësisë.
Mos respektimi në masë të konsiderueshme i planeve urbanistike, distancës dhe kritereve tjera minimale, përbëjnë shqetësim në këtë vrull.
Deri më 2017, institucionet kishin evidentuar më shumë se 350 mijë ndërtime pa leje në Kosovë – ndërsa ligji për legalizim është plotësuar e ndryshuar dhe afati është zgjatur disa herë, por që interesimi nuk ka qenë masiv.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





