Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar bashkëpunim më të madh të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre jo anëtare.
Në hapjen e punimeve të Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Rama tha se i njëjti është një moment historik për fqinjësinë e mirë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, Rama tha se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit, i cili ka nisur para nëntë viteve nuk janë zbatuar plotësisht.
Ai përmendi një deklaratë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel se demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë.
“Gjatë këtyre 9 viteve kemi dëshmuar takime të panumërta midis nesh dhe palës së BE. Ne edhe u bëmë pionerë të iniciativave tona. Për këto 9 vite kemi përftuar mjaft përvojë duke shkëmbyer pikëpamje dhe duke mësuar që të biem dakord që nuk biem dakord. Më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë. Angela Merkel e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, tha ai.
Mirëpo ai u shpreh i lumtur me angazhimin dhe hapat konkret të Komisionit Evropian për mbështetjen ekonomike ndaj rajonit ballkanik.
“Është për t’u përgëzuar Ursula dhe komisioni. Tashmë po marrim hapa për ndryshime kryesore politike dhe ekonomike. Tashmë jemi në pikën kur diskutojmë tregtinë. Procesi është penguar nga çështje afatgjata midis disa vendeve të rajonit. Fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë. Procesi i anëtarësimit i bazuar në merita duhet të vazhdojë për të mirën tonë”, tha ai.
Ndërkaq, nënvizoi sfidat me të cilat po hasin vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme midis anëtarëve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë, sfidat me të cilat përballen vendet jo anëtare të BE-së nuk është e lehtë. A mund të përballojmë këto ndasi midis vendeve të BE-së dhe vendeve jo anëtare”, tha Rama./kp