Përgatiti: Arton Hamiti
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, tash e tri vjet dy pozitat kryesore udhëheqëse i ka me ushtrues detyre.
Teksa konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor u hapë këtë javë, opozita hedh akuza se këto pozita janë ruajtur për njerëz të pushtetit komunal.
“Sot e ka hapur konkursin, që tri vjet nuk munden me emërua drejtor sepse Fadil Nura e pret kushëririn e tij që ta kryej specializimin. Që tri vjet QKMF-ne e man me U.D.”, tha Nuredin Lushatku nga lista “Ideali për Skenderaj”.
Akuzat e opozitës i mohoi i pari i Skenderajt Fadil Nura, derisa për vonesa dha disa sqarime.
“Ne e kemi hapur njëherë por ka dështuar sepse ligji e specifikon sa kandidat duhet te jenë. Për mua është e rëndësishme ta kemi një mjek menaxher, as qe behet fjalë se duam ta rehatojmë dikë aty”, tha Nura.
Ndërkohë, rasti i ish-zëvendësdrejtoreshës të cilës iu ndërrua vendi i punës, është në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit.
Florentina Shalës iu ndërrua pozita me ardhjen e pushtetit të ri dhe sipas saj, politika ishte arsyeja.
“As nuk jam pjesë e politikes, as nuk kam qenë. Pse e kam përkrah politiken, anën e kundër te tij është diçka tjetër”, tha Shala.
Vendimin e kryetarit të komunës e hodhi poshtë Inspektorati i Punës dhe meqë nuk e përfilli obligimin që pala të rikthehet në detyrën e mëhershme, e dënoi me gjobë prej 1,500 eurosh. Pas kësaj, kryetari i Fadil Nura vendosi që ta anulojë komplet procedurën e konkursit të vitit 2021 kur Florentina Shala e kishte fituar pozitën e zëvendësdrejtoreshës.
“Unë normalisht ju kom drejtu Gjykates edhe Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka marrë një aktgjykim ku mu ka aprovu kërkesëpadia edhe thotë qe anulohet si i kundërligjshëm vendimi kryetarit Nura që e ka ba anulimin për procedurën e konkursit”, tha Shala.
Pavarësisht kësaj, Nura këmbëngulë se vendimi i tij ka bazë ligjore.
“Askund nuk ka qe pozita e zëvendësdrejtorit te jete e përhershme. Ne kemi gjetur shkelje ne atë konkurs sepse s’ka pasur kundër kandidat madje edhe përvojën e ka bërë fallcë”, tha Nura.
Derisa konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor të QKMF-së është hapur, Komuna e Skenderajt duhet ta emërojë edhe drejtorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale meqë Rrezarta Hasani dha dorëheqje të mërkurën.