Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli doganor në Zyrën Doganore në Prizren.
Sipas komunikatës zyrtare, gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimit dhe gjendjes reale të mallit.
“Gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet deklarimit doganor dhe gjendjes faktike të mallit. Malli ishte deklaruar si qirinj, ndërsa pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, Dogana ka bërë të ditur se për këtë lloj malli kërkohet edhe licencë e veçantë për import.
“Përveç klasifikimit të gabuar tarifor, është konstatuar se për mallin në fjalë kërkohet edhe licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” theksohet në komunikatë.
Sipas vlerësimeve preliminare, dëmi i shkaktuar nga shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore kap vlerën mbi 2,500 euro.
“Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore si rezultat i deklarimit të gabuar arrin në mbi 2500 euro,” thuhet më tej.
Ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.
“Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave,” përfundon njoftimi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e deklarimeve të pasakta dhe mbrojtjen e sigurisë publike./Telegrafi/





