Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku në ditën e fundit të fushatën premtoi zgjidhje konkrete për krijimin e lagjeve funksionale me çerdhe, parqe dhe shërbime të afërta me qytetarët, duke theksuar se “Prishtina që duam ndërtohet bashkë, me zërin e çdo lagjeje në qendër të planifikimit”.
Në Drenas, kandidatja Egzona Terdevci u shpreh se qytetarët kanë përballë dy modele të njëjta nga kundërkandidatët, të cilët bëjnë fushatë me figura të njohura publike, ndërsa ajo ofron një alternativë konkrete për mirëqeverisje bashkë me një ekip profesionistësh.
Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe i bëri thirrje për të realizuar ndryshimin përmes votës, duke theksuar se ka ardhur koha për veprim.
Në Kamenicë, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Kadri Rahimaj, ndërlidhi entuziazmin për fitoren e ekipit lokal të futbollit duke e mbyllur me një thirrje për fitore në të gjitha frontet.
Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi theksoi se e diela është më shumë se një ditë votimi – është dita e vendimit për të ardhmen.
Në Podujevë, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi në prani të liderit të parties Vetëvendosje falënderoi banorët për mbështetjen premtoi vazhdim të projekteve dhe angazhimit për komunën.
Në Prizren, kandidati Artan Abrashi prezantoi planin e tij për transformimin e qytetit dhe tha se qyteti ka nevojë për punë të përditshme dhe jo për propagandë.
Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu përmendi përurimin e rrugës Vojnoc-Tërrn si një prej projekteve të realizuara me efikasitet dhe premtimin për vazhdim të transformimit të komunës.
Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës dhe i ftoi të dalin masivisht në votime, duke theksuar se çdo votë ka peshë dhe se qeverisja e mirë do t’i rikthehet qytetarëve.