Në ditën e fundit të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të komunës së Junikut Agron Kuçi, mbajti tubimin përmbyllës të fushatës, ku mori pjesë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe partneri i koalicionit, Vetëvendosje. Kuçi prezantoi planprogramin për vitet 2025-2029, duke premtuar zhvillim të qëndrueshëm dhe projekte që rrisin cilësinë e jetës në komunë. Haradinaj tha se Kuçi do t’a shndërroj Junikun në një model të qeverisjes lokale, dhe se më 9 nëntor qytetarët do të kenë mundësinë të rikthejnë qeverisjen që e meritojnë.
Kryetari aktual I Gjakovës dhe kandidat për një mandat të ri, Ardian Gjini, ka bërë një bilanc të punës së tij . Ai tha se gjatë mandatit të tij janë realizuar projekte infrastrukturore, përmirësuar shërbimet dhe janë krijuar hapësira të reja publike. Gjini ka përmbyllur videon duke thënë se kjo nuk është politikë por mision dhe përkushtim ndaj qytetit dhe komunës së tij, duke bërë thirrje për mobilizim më 9 nëntor.
Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, i cili kërkon edhe një mandat 4-vjeçar, ka njoftuar rregullimin e rrugës që lidh fshatin Përqevë me rrugën rajonale Prishtinë–Pejë. Elezaj gjithashtu njoftoi për një marrëveshje bashkëpunimi me degën e PSHDK-së në Klinë, me synim për një qeverisje transparente dhe në shërbim të çdo qytetari.
Në Suharekë, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Bali Muharremaj, tha se çdo kërcënim, shpifje apo lajm i rremë ndaj tij dhe familjes do të trajtohet në organet e drejtësisë pas zgjedhjeve.
Muharremaj në Bukosh bëri thirrje që më 9 nëntor të votohet numri 174.
Ndërsa në Rahovec, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri nga AAK, Smajl Latifi, zhvilloi një mobilizim final me bashkëpunëtorët e tij, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës dhe duke theksuar se fitorja e tij do të jetë fitorja e qytetarëve.







