Në Mamushë, sot është përmbyllur fushata gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, që do të mbahen të dielën, më 9 nëntor.
Në ditën e fundit të fushatës, kryetari aktual, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, i cili garon për një mandat të tretë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe ta vendosin së bashku të ardhmen e komunës.
“Ejani nesër, le të shkojmë në votime me familjet dhe të dashurit tanë dhe të përcaktojmë së bashku të ardhmen tonë. Votoni 104 për një të nesërme më të mirë,” tha Krasniq, duke premtuar se programi i tij për mandatin e ardhshëm do të fokusohet në mbështetjen e bujqve, tregtarëve dhe artizanëve lokal.
Krasniq kujtoi se tashmë është nisur një program mbështetës ekonomik, në kuadër të të cilit kanë aplikuar 248 bujq dhe mbi 200 tregtarë e artizanë.
“Banorët e Mamushës na njohin mirë. Nëse premtojmë një projekt apo mbështetje, e realizojmë. Çdo projekt kërkon kohë e përgjegjësi, jo premtime të shpejta. Ne do ta përfundojmë këtë proces dhe do t’u dorëzojmë mbështetjen qytetarëve tanë,” deklaroi Krasniq.
Ndërsa kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, në mbyllje të fushatës ka vënë theksin tek rinia. Ai tha se zgjedhjet e së dielës janë “një moment historik që do të përcaktojë të ardhmen e Mamushës”.
“Është koha të kërkojmë kujdes për të ardhmen. Të rinjtë e Mamushës nuk duhet të jenë më spektatorë, por vendimmarrës. Një votë mund të ndryshojë fatin e një qyteti,” tha Morina, duke shtuar se vizioni i tij është që të rinjtë të marrin pjesë në qeverisje me idetë dhe projektet e tyre.
Ai falënderoi gjithashtu bashkëqytetarët nga Turqia dhe Evropa, të cilët po kthehen në vendlindje për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Deklaratën e tij, Morina e shoqëroi me pamje të një autobusi me bashkatdhetarë që kishin ardhur nga jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve.






