Luka Doncic në superformë, shënon 53 pikë dhe vendos rekord sezonal me Lakersin

Luka Doncic po vazhdon të shkëlqejë në NBA, duke regjistruar një tjetër paraqitje spektakolare me fanellën e Los Angeles Lakers.
Ylli slloven ishte i pandalshëm në fitoren 124:118 ndaj Portland Trail Blazers, duke realizuar plot 53 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime. Kjo ishte paraqitja e tij më e mirë për nga pikët e shënuara në këtë sezon.
Reklamë
Doncic po zhvillon një edicion mbresëlënës, pasi në dhjetë ndeshjet e para ka regjistruar mesatare prej 40.1 pikësh, 7.8 kërcimesh dhe 7.7 asistimesh për ndeshje.
Në historinë e NBA-së, vetëm legjenda Wilt Chamberlain ka arritur të regjistrojë mesatare mbi 40 pikë për ndeshje në një sezon të plotë. Chamberlain kishte shënuar mesatarisht 50.4 pikë në sezonin 1961/62, ndërsa një edicion më vonë regjistroi 44.8 pikë për ndeshje.
Ndërkohë, mesatarja prej 37.1 pikësh e Michael Jordanit në sezonin 1986/87 mbetet më e larta në një sezon të rregullt që nga fillimi i epokës së gjuajtjeve për tri pikë. James Harden, nga ana tjetër, kishte regjistruar 36.1 pikë për ndeshje në sezonin 2018/19.
Megjithatë, Doncic mbetet i përmbajtur dhe e di se rruga deri në fund të sezonit është ende e gjatë.
“Është një sezon i gjatë. Jemi vetëm në ndeshjen e dhjetë. Kemi edhe 72 ndeshje. Përderisa fitojmë, jam në rregull. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, por kurrë nuk i dihet”, deklaroi Donçiq, transmeton “ESPN”.
Mesatarja më e lartë e Donçiqit në një sezon të plotë deri më tani ishte 33.9 pikë për ndeshje, të cilën e regjistroi në sezonin 2023/24, kur ishte pjesë e Dallas Mavericks.
Reklamë







