Përgatiti: Arton Hamiti
Pasi Lista Serbe, në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndryshoi qëndrim dhe kërkoi mbajtje të zgjedhjeve në veri, duke premtuar pjesëmarrje, Qeveria e Kosovës insiston se mbajtja e tyre, do të bëhet vetëm përmes udhëzimit administrativ.
Duke ofruar mbështetje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ekzekutivi shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve serb të katër komunat veriore është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“Ne kemi ofruar kornizën ligjore që mundëson zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit. Udhëzimi administrativ është edhe rezultat i zotimeve tona për deeskalim të situatës por edhe reflektim i bindjes sonë se zgjedhjet e reja atje duhet të nxiten nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit, në krye më deri atëherë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq na ka rikujtuar rëndësinë jetike të ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Në rast se kryetarët e tanishëm nuk japin dorëheqje duke pritur inicim të peticionit nga qytetarët, për opinionistin Bekim Kabashi, mbajtja e zgjedhjeve është larg.
Sidoqoftë, pjesëmarrja eventuale e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, pas sulmit të 24 shtatorit, për të cilin mori përgjegjësinë ish-nënkryetari i këtij subjekti, Milan Radojiçiq, po shihet me sy kritik.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale me 23 prill.
Qytetarët serb kundërshtuan hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve në ndërtesat komunale, duke sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.