Qeveria e Kosovës ka reaguar pas akuzave për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së, duke thënë se ato janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti, me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me softuerin e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
“Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.
Kryeziu ka përkujtuar se KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga Gjermania, ndërsa prokurimi për softuerin e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion.
“Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, ka përfunduar Kryeziu.
Ueb faqja e KQZ-së gjatë ditës së zgjedhjeve ishte pothuajse shumicën e kohës jashtë funksionit, gjë e cila shkaktoi konfuzion te publiku që priste publikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, njoftoi të dielën vonë se softueri i numërimit të votave ka dështuar, duke mos dhënë më shumë detaje
Ueb faqja e KQZ-së u rikthye në funksion të hënën, por vazhdoi të kishte probleme të kohëpaskohshme.
Numërimin e saktë e ka kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani menjëherë pas njoftimit për dështimin e softuerit.
Deri më tash janë numëruar 99.57 për qind, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.87 për qind, pason Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 7.46 për qind.
Dje ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Në rezultatet preliminare nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës. Ato do të numërohen në një fazë të mëvonshme pasi të përfundojë numërimi në qendrat komunale të numërimit.