6.4 C
Pristina
Thursday, April 23, 2026

Qeveria do të subvencionojë me pagë deri në dy mijë vende pune në veri

PËRGATITI: DRITON SADIKU

Hapja e bizneseve të reja në komunat në veri, por edhe punësimi i rreth dy mijë punëtorëve, do të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës.

Kështu të paktën ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mes tjerash tha se bizneset, një nga lehtësirat që do të përfitojnë, është subvencionimi i pagës së punëtorëve.

“Me rivendosjen e rendit dhe ligjit në katër komunat veriore të vendit, tani po shohim dita-ditës edhe hapjen e bizneseve të reja dhe shtimin e aktivitetit afarist në atë pjesë. Qeveria po i mbështet të gjitha bizneset e reja dhe ato ekzistuese në katër komunat në veri për hapjen e deri në dymijë vendeve të reja pune, përmes subvencionimit të pagës për punëtorët”, tha Murati.

Megjithëse, e ka cilësuar si të vonuar, sipas Betim Osmanit, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, një vendim i tillë po mirëpritet, pasi që siç thotë, veriu ka nevojë për investime.
“Besoj që në këto tri vite kanë munguar investimet në veri të institucioneve tona. Besoj që edhe kështu ka pak biznese në veri dhe shumica prej tyre nuk kanë qenë të regjistruara në republikën e Kosovës, tash kanë shprehur interes që të regjistrohen. Këto mbështetje do të ishin të mirëseardhura dhe kjo do të tregojë që institucionet e Kosovës e kanë seriozisht këtë punë”, deklaroi Osmani.

Ndërkaq, ekonomisti Fidan Qerimi thotë se Qeveria do të duhej të bënte investime kapitale me qëllim bashkëpunimin ndëretnik, si rrugë e vetme që Veriu të integrohet.

“Është krijimi i një parku industrial që do të përfshijë një pjesë të Mitrovicës së veriut dhe një pjesë të jugut dhe këtu do të kishin përparësi bizneset që kishin me qenë me pronësi të përzier dhe kjo do të krijonte një mundësi dhe një potencial ekonomik dhe po ashtu të bashkëpunimit ndëretnik”, tha Qerimi.

Gjë tjetër fitimprurëse thotë se do të ishte edhe zhvillimi i turizmit.
“Ne e dimë që ka shumë manastire në atë pjesë dhe këto manastire janë në interes të turistëve, sidomos të atyre ndërkombëtarë dhe kjo do të krijojë një potencial krijimit të bizneseve të vogla”, shtoi tutje Qerimi.

Megjithatë, disa biznese vetëm se kanë nisur të hapen në këtë pjesë të vendit, kryesisht markete e kafene./atvlive.tv/

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Parashikimi i motit për të enjten

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA