Kolegji AAB

Qeveri e përkohshme para zgjedhjeve? Kusari-Lila del me propozimin e ri politik

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është bërë e domosdoshme, pasi Kosova tashmë ka hyrë në muajin e tetë pa institucione të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, ajo vlerëson se para shpalljes së zgjedhjeve duhet të arrihet një marrëveshje politike për formimin e një qeverie të përkohshme, me mandat vetëm legjislativ.

Në një intervistë për KosovaPress, Kusari-Lila tha se një qeveri e tillë do të kishte për detyrë miratimin e projektbuxhetit për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Zgjedhjet janë të domosdoshme, sepse kanë kaluar tetë muaj prej mbajtjes së tyre dhe ende nuk kemi Kuvend të konstituuar. Në një situatë të tillë, vendimi më demokratik është t’i kthehemi qytetarëve. Megjithatë, përpara se të shkohet në zgjedhje, duhet të sigurohemi që buxheti dhe marrëveshjet e BE-së të mos bllokohen”, tha ajo.

Pa numra për qeverinë “Kurti III”

Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pranoi se shumica aktuale nuk i ka numrat për formimin e qeverisë së re, edhe nëse rikthehen negociatat me Nismën Socialdemokrate.

“Edhe nëse ka pajtim me Nismën, nuk arrihen 61 vota. Kjo nënkupton që funksionimi i qeverisë do të ishte i brishtë. Prandaj, një marrëveshje politike për kalimin e buxhetit dhe disa projektligjeve jetike është më e arsyeshme”, theksoi ajo.

Vendimi i Kushtetueses, në pritje të aktgjykimit të plotë

Kusari-Lila tha se është e rezervuar për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar, për shkak se nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Ajo pret publikimin e aktgjykimit të plotë për të parë nëse ai do të specifikojë të drejtën ekskluzive të Listës Serbe për ta nominuar kandidatin.

“Nëse Kushtetuesja nuk e lidh këtë pozitë vetëm me Listën Serbe, atëherë kjo do të mund të hapte rrugë për një pluralizëm më të madh politik brenda komunitetit serb”, shtoi ajo, duke theksuar se nuk do të votojë asnjë kandidat të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

Koalicioni me Vetëvendosjen

Duke folur për raportet e Alternativës me Lëvizjen Vetëvendosje, Kusari-Lila tha se do të kërkojë që bashkëpunimi të formalizohet në formën e një koalicioni zyrtar, për të siguruar stabilitet dhe qartësi politike.

“Kërkojmë që të jemi zyrtarisht në koalicion me LVV-në. Nuk kemi pasur kërkesa për poste apo kushte, por mendojmë se një marrëdhënie e qartë politike është e nevojshme për mbarëvajtjen e jetës institucionale dhe për identitetin tonë politik”, përfundoi ajo.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA