Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë parë zyrtarë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të verifikuar kuti me fletëvotime të pavlefshme, raporton KosovaPress.
Më herët ka pasur ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje rreth disa fletëvotimeve që janë shpallur të pavlefshme.
Në QNR edhe të hënën po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi përmes postes.
Nga të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë numëruar 66.31 për qind e votave me postë.
Bazuar në të dhënat e KQZ-së, KosovaPress raporton se në numërimin e deritanishëm të votave me postë për zgjedhjet parlamentare te 9 shkurtit, prin Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 52.72 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29.80 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me 7.98 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.32 për qind.
Ndërkaq, pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të nis numërimi i atyre me kusht dhe personave me aftësi të kufizuara.