Nga Rexhep Hasani
Për të evituar bllokadën e mëtutjeshme të konstituimit të Kuvendit, partitë politike duhet të përmbushin detyrat e tyre. Prandaj, nuk është e drejtë dhe detyrë e PDK-së dhe AAK-së të caktojnë apo propozojnë kandidatë për kryetar, sepse kjo është e drejtë ekskluzive dhe detyrë e VV-së. Partitë politike, sipas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kanë për detyrë të zgjedhin njërin opsion të votimit (pro, kundër apo të abstenojnë).
Propozimi im ka të bëjë me vendosjen për njërën prej dy mënyrave të votimit
(me votë të hapur apo të fshehtë). Vendimi sipas mendimi duhet të merret me votim të hapur, dhe cila mënyrë të ketë shumicën, ajo duhet zbatuar. Duke vepruar kështu, mendoj se nuk ka shmagie nga pika e tretë e rendit të ditës, siç deklarojnë deputetët që nuk marrin pjesë në votim, sepse bëhet fjalë për mënyrën e realizimit apo përmbushjes së kësaj pike.
Tri partitë e para, Lista serbe dhe grupi i minoriteteve tjera, kanë gjithashtu detyrë të propozojnë kandidatët e tyre për nënkryetarë, me ç’rast as VV-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të drejtën e tyre ekskluzive për propozime, por ka detyrë të votojë. Për të arsyetuar veprimet e tyre, deputetët që nuk marrin pjesë në votim, tentojnë që të bëjnë dallim ndërmjet funksionit të kryetarit dhe të nënkryetarit. Kur dihet se në mungesë të kryetarit, detyrën e tij, me detyra dhe përgjegjësi të njëjta, e ushtron nënkryetari, argumentimi i tillë është i pabazuar, sepse, siç dihet, vota e nënkryetarit ka peshë të njëjtë me votën e kryetarit, përkatësisht e barabartë me votën e deputetëve tjerë.
Kaq e thjeshtë dhe e lehtë është procedura për konstituimin e Kuvendit. Prandaj, nuk është e rastit që për konstituim përpiluesi i tekstit të dispozitës që rregullon procedurën e konstituimit (neni 67.2) nuk ka paraparë as diskutim dhe as afat, por vetëm propozim dhe votim. Bllokimi deri në apsurd është si pasojë e mosrespektimit të të drejtave dhe të detyrimeve të subjekteve politike, në kundërshtim me rregullat për konstituimin e Kuvendit.
Janë pikërisht veprimet e tilla arbitrare shkelje e këtyre rregullave, sepse me mosvotim pengojnë konstituimin, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesin e shtetit, partisë përkatësisht elektoratit të tyre dhe madje edhe interesin e tyre personal.
Për të dalë nga një bllokadë e tillë e paparë, një ditë e më parë, duhet përmbushur detyrat për konstituim, pa pasur nevojë që kjo fazë të ndërlidhet me fazën e formimit të qeverisë. Kjo aq më parë kur të kihet parasysh se janë të njëjtit deputetë që në pikën e dytë të rendit të ditës, në dy raunde, nuk votonin madje as vetëverifikimin, përkatësisht verifikimin e mandatit e tyre personal të deputetit. Ja deri ku shkon absurdi, dhe nuk përfundon aty, por, siç shihet në serinë e vazhdimeve që nuk u shihet fundi, vazhdohet me avazin e njëjtë si në pikën e dytë të rendit të ditës. Ndërlidhja e dy fazave, në rrethanat e tilla të sjelljeve joracionale, do të zvarriste edhe më tepër konstituimin e Kuvendit, pa të cilin nuk mund të kalohet në fazën tjetër, por edhe në zgjedhje të sërishme.
Kur të kalohet në fazën e dytë të formimit të qeverisë, parashikohen afate dhe hapësirë për diskutime e kompromise, sepse praktikisht nuk mund të ketë dy shumica parlamentare. Nëse një shumicë e tillë nuk sigurohet në afat prej 15 ditësh, në tentimin e parë, mbetet edhe një afat shtesë prej 10 ditësh, për një tentim të dytë. Kuptohet, nëse edhe në këtë rast propozimi për qeveri nuk merr 61 e më tepër vota të deputetëve, përmbushen kushtet për përsëritjen e zgjedhjeve, edhe pse mendoj se këto do të duhej shmangur në rrethanat ekzistuese.
Kam përshtypjen se përsëritja e zgjedhjeve nuk ju konven as subjekteve politike, kështu që të njëjtat, me vullnet dhe mirëbesim, duhet të tejkalojnë këtë bllokim absurd.