Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Lagjja “Xhemajl Kada” u ndërtua nga vitet e 90-ta.
Kështu, kjo pjesë periferike e Pejës, tash numëron mbi 60 shtëpi.
Por, familjet brenda 35 prej tyre nuk po e dinë se a do ta presin dimrin në shtëpitë e tyre, meqë u është dhënë një urdhër t’i lëshojnë pronat.
Lavdim Muriqi, pronar i njërës nga to, thotë se ky lajm u erdhi nga një person i panjohur, me arsyetimin se shtëpitë janë ndërtuar në tokën e tij.
“Ka ardhë s’po donë me u marr vesh, po kërkon veç me lirua, bile ka thënë me ja pagu aq sa kemi qëndruar deri tash…”, tha Muriqi.
Atëkohë, sa u ndërtuan shtëpitë, pronarët e tyre nuk e dinin se pronë e kujt është parcela. Ata thonë se themelin e tyre e nisën me mendimin se toka është e komunës, dhe se dikur do të kompensoheshin me ta. Por, sipas përfaqësuesit të lagjes, pavarësisht kësaj, një muaj kohë, sa i ‘u dha pronarëve t’i lëshojnë pronat, është e papranueshme.
“E dimë që s’është në rregull as ashtu me i ndërtua po ne kemi mëndu që kemi me u marr vesh me komunë, se pas lufte dihet qysh kanë shkuar senet”, tha Mirsad Koliqi, kryetar i lagjes “Xhemajl Kada”.
Banorët janë në gjendje të bëjnë kompensim financiar, nëse edhe dokumentacionet e parcelës mbajnë emrin e dikujt tjetër.
“Po kërkojmë me ardhë e me klasifikua, jemi në gjendje me u përgjigj financiarisht, me e shti shtëpinë në hipotekë, nëse nuk i përgjigjem atëherë, le të ma marrin shtëpinë edhe atëherë nuk ankohem më askund hiç”, tha Ejup Shala, banor.
Tash, halli i tyre është se ku do të qëndrojnë, pasi t’i lëshojnë shtëpitë.
“Janë mbi 200 anëtarë shtëpie tash dimër ku donë me qëndru pse nuk e llogarisin këtë situatë…”, tha Koliqi.
Andaj, për t’u dalë në ndihmë, banorët trokitën dyert e zyrtarëve komunal.
“Kam qenë n ’komunë nuk na ka shikuar askush hiç”, tha Lavdim Muriqi, banor.
Nga komuna e Pejës i thanë televizionit se kjo çështje është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Pejë, dhe deri të përfundojë procesi, nuk mund të bëjnë asnjë hap tutje.
Ndërkaq, nga Gjykata Themelore e Pejës, nuk kanë treguar se deri në cilën fazë ka shkuar lënda.