Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka dhe nipit të tij, F.D., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale të sulmit dhe kanosjes.
Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, kjo kërkesë është paraqitur në seancën për caktimin e masës së sigurisë, që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Ndërkohë gjatë ditës pritet vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit lidhur me caktimin e masës së sigurisë.
Ndryshe, një ditë më parë kryeprokurori në Prizren, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se tre persona dyshohen për rastin e sulmit dhe kanosjes ndaj anëtarëve të YTHP-së në Prizren, ndërkohë që për dy prej tyre është nxjerrë vendimi për ndalimin 48 orësh.
Në këtë rast të ndaluarit janë Fikrim Damka, kryetar i KDTP-së dhe ministër i MZhR-së dhe nipi i tij, F.D.
Kryeziu ka theksuar se rasti dyshohet se ka ndodhur të dielën me 9 shkurt.
“Në ditën e zgjedhjeve kemi pasur një rast ku rreth orës 18:30 janë paraqitur dy ankues, në cilësinë e viktimave, një grua dhe një burrë, duke pretenduar se janë viktima të një sulmi dhe të një kanosjeje për jetë”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij pas kësaj informate bashkë me hetuesit policorë janë ndërmarrë veprime në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar prova personale dhe materiale. /Telegrafi/