Artisti nga Maqedonia e Veriut, Valmir Aziri, ka bërë së fundmi një reagim të fortë në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime serioze mbi ndikimin e personave të papërgatitur në opinionin publik.
I pyetur në emisionin “LIBERO” rreth këtij reagimi, Aziri u shpreh se sot gjithnjë e më shumë po vërehet një fenomen shqetësues, ku njerëz të padijshëm dhe të paspecializuar marrin guximin të orientojnë të tjerët drejt ideve dhe praktikave që, sipas tij, mund të jenë të dëmshme.
“…Shohim çdo ditë në rrjete sociale dhe në mediume njerëz të padijshëm që marrin të drejtën të ndikojnë te masa. Jo rrallëherë kjo ndodh edhe për shkak të tregut…”, deklaroi ai.
Ai theksoi se termi “profetë të rrejshëm”, që përdori në reagimin e tij, i referohet pikërisht atyre individëve që pretendojnë se dinë gjithçka dhe tentojnë të imponojnë mënyrën e jetesës së tyre, duke promovuar luksin dhe duke lënë qytetarin e thjeshtë në periferi.
Sipas Azirit, kjo dukuri nuk kufizohet vetëm në politikë apo ekonomi, por shtrihet edhe në çështje të ndjeshme si ato fetare. Ai e cilësoi si të dhimbshme faktin që në mesin e shqiptarëve po lindin debate të panevojshme dhe të kota, sidomos mes klerikëve.
“…Shoqëria shqiptare ka kohë që e ka mbyllur diskursin fetar brenda vetes. Nuk e kuptoj kujt i shërbejnë këto…”, u shpreh ai.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Valmir Azirit, klikoni linkun e mëposhtëm:






