Hedhja e mbeturinave vend e pa vend është kthyer në një zakon në Prishtinë.
Një gjende e tillë tash e sa ditë është në rrugën “Sylejman Vokshi”, fare pranë sheshit “Zahir Pajaziti”.
Mbeturina nëpër tokë shihen edhe në rrugët e tjera në qendër të kryeqytetit.
“Është zakonisht shqetësuese pamja me këto mbeturina. Ka nevojë kjo popullatë me u vetëdijesu. Sidomos gjatë ardhjes së mërgimtarëve niveli i mbeturinave rritet se mërgata blejnë sene shumë e ato dikun hidhen”, thotë një qytetar.
Ndërkohë, nga Kompania Regjionale e Mbeturinave në Prishtinë, përmes një përgjigje me shkrim i kanë thënë ATV-së, se në muajt e verës ka më shumë telashe në mbarëvajtjen e situatës me mbeturina.
“Meqenëse jemi në muajin korrik dhe afër muajit gusht në Prishtinë kemi rritje apo dyfishim të mbeturinave. Kjo për shkak edhe të numrit të madh të mërgimtarëve. Sa i përket përgjegjësisë qytetare në hedhje të mbeturinave më shumë kemi shqetësime tek hedhja e mbeturinave inerte dhe të vëllimshme të cilat shkaktojnë prishje në kamionët tanë gjithashtu e zënë vendin për hudhjen e mbeturinave ushqimore apo ditore. Ne vazhdimisht jemi në kapacitete të plota të punës në operimin e përditshëm. Ne operojmë 24 ore për 7 ditë të javës”, tha Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv në KRM “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë.
Hiç më e mirë gjendja nuk është as në Ferizaj.
Në segmentin rrugor “12 qershori”, kjo pjesë e cila është ndër më të frekuentuara vazhdon të jetë e mbushur me mbeturina nëpër tokë.
Edhe në këtë qytetet, qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre.
“Papastërtia po është shumë e keqe. Po kanë faj qytetarët që nuk po i gjuajnë në kontenjera. Kena qytetar të pakulturun”, tha një qytetar.
“Mbeturina ka nëpër qytet është kultura në nivel të ulët. Duhet mos me u gjujt cigare dhe letra në tokë”, tha një qytetar.
Se me ardhjen e mërgimtarëve dhe sezonit veror, vështirësohet menaxhimi i mbeturinave, e thonë edhe nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastërtia” në këtë komunë.
“Me ardhjen e verës dhe mërgimtarëve është rrit edhe niveli i mbeturinave. Ne si kompani i kemi marrë masat që me i dal ball kësaj situate”, tha Naim Nuhiu, shef ekzekutiv në KRM “Pastërtia”, Sh.A-Ferizaj.
Sipas kompanive të pastrimit, problem tjetër vazhdon të jetë mungesa e kontejnerëve, për të cilat komunat kanë premtuar se së shpejti do të rrisin numrin e tyre. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: