Prishtina është bërë me shoqatë të vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim e cila do të ndihmojë në përballje me fatkeqësitë natyrore.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se po vendosen “themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve dhe pasurive të qytetarëve”.
Kjo shoqatë, është e para e këtij lloji në Kosovë.
“Me themelimin e shoqatës së vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim të kryeqytetit po vendosim themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve, mbrojtjen e pasurive të qytetarëve tanë, Prishtina është në rritje të vazhdueshme, e krahas me rritje vinë edhe sfida të reja, prej rritjes së popullsisë e deri te zgjerimi i infrastrukturës, kërkohet që të jemi në gatishmëri të përhershme edhe për situata emergjente. Andaj këtë shoqatë e shoh si tejet të rëndësishme e mbështetëse për Prishtinën tonë që do të ndihmojë të përballemi me lloje të ndryshme të fatkeqësive qofshin ato natyrore a po të shkarkuara nga njeriu”, potencoi Rama.
Ndërsa drejtori për siguri dhe emergjenca Lulzim Fushtica tha se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e sigurisë publike.
Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes më të gjerë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
“[Themelimi i shoqatës]Shënon një hap të madh përpara në forcimin e sigurisë publike dhe përmasimin e reagimeve ndaj emergjencave, siç e dimë siguria dhe menaxhimi i emergjencave nuk janë vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore, ato kërkojnë një përfshirje të gjerë dhe një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe qytetarëve”, tha ai.
Mal Gashi nga zjarrfikësit, tha se kjo nuk është vetëm një detyrë por “është një mision ku duhet të tregojmë gatishmëri”.
Tutje ai theksoi se kjo do t’i ndihmojë jo vetëm në fikje të zjarreve por edhe ballafaqim me fatkeqësitë e tjera natyrore.
“Shoqata e vullnetarëve dhe zjarrfikësve do të jenë vullnetarë, nuk është vetëm një detyrë, por është një mision i gjerë, të cilët duhet të tregojnë gatishmëri, guxim për t’i realizuar të gjitha detyrat që i kanë para vetes. Dhe kjo do të jetë një komponent e brigadës profesionale për zjarrfikje dhe shpëtim që do të na ofrojë mundësi jo vetëm në fikje të zjarreve po për tu ballafaquar me fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera”, tha ai