Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” tashmë kanë edhe simbolin e tyre zyrtar. Logoja, e krijuar nga dizajneri Dardan Luta, do të jetë një prej elementeve kryesore të identitetit të Kosovës gjatë organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Logoja u prezantua në Taranto, gjatë ceremonisë përmbyllëse të Lojërave Mesdhetare 2026, në një moment simbolik kur Kosova mori zyrtarisht stafetën për organizimin e edicionit të vitit 2030.
Në pamje të parë, dizajni duket minimalist dhe i thjeshtë, por pas formave të tij fshihen disa referenca të lidhura ngushtë me Prishtinën, kulturën dhe historinë e Kosovës.
Elementi qendror është vetë numri “2030”. Forma e tij e përmbysur është konceptuar si një referencë ndaj Hyjneshës në Fron, një prej simboleve më të njohura të kryeqytetit.
Edhe numrat 2 dhe 3 kanë një funksion të dyfishtë. Përmes mënyrës se si janë vendosur, ato krijojnë forma që të kujtojnë shkronjat “P” dhe “R”, duke iu referuar drejtpërdrejt emrit të Prishtinës.
Në dy zerot e logos është integruar një tjetër element i trashëgimisë shqiptare. Format e tyre janë frymëzuar nga motivet tradicionale të qilimave shqiptarë, duke i dhënë dizajnit një karakter të veçantë kulturor.
Jo më pak domethënëse është edhe tipografia. Ajo është bazuar në anatominë e alfabetit latin-romak të zbuluar në Ulpianë, duke krijuar një lidhje mes identitetit modern të Lojërave dhe historisë së lashtë të Kosovës e Dardanisë.
Kështu, një simbol në dukje minimalist është ndërtuar mbi disa shtresa kuptimore: Prishtina, trashëgimia kulturore, historia dhe sporti janë ndërthurur në një identitet të vetëm vizual.
Kjo ishte edhe një prej kërkesave kryesore të konkursit për krijimin e logos, e cila duhej të ishte origjinale, e qartë, e dallueshme, lehtësisht e mbajtshme në mend dhe funksionale në madhësi e formate të ndryshme.
Logoja është konceptuar për t’u përdorur shumë përtej materialeve promocionale. Ajo do të shfaqet në fanella, stadiume, dokumente zyrtare, materiale reklamuese, transport dhe hapësira publike, si dhe në qytetet ku do të zhvillohen garat e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Një tjetër veçori e këtij identiteti është pritja e parë publike. Krahasuar me disa projekte të mëparshme të identitetit vizual në Kosovë, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta, logoja e “Prishtina 2030” është pritur dukshëm më pozitivisht.
Ndoshta pikërisht sepse arrin të bëjë një kompromis mes modernes dhe tradicionales: vizualisht është e pastër dhe bashkëkohore, ndërsa në përmbajtje bart simbole që lidhen me Prishtinën, kulturën shqiptare dhe historinë e Kosovës.
Në fund, logoja e Dardan Lutës nuk është thjesht një kombinim numrash për të shënuar vitin 2030. Ajo është konceptuar si një rrëfim vizual për qytetin dhe vendin që do të presë Lojërat Mesdhetare – një identitet që synon ta përfaqësojë Kosovën para mijëra sportistëve dhe miliona shikuesve nga rajoni e më gjerë.
Prishtina 2030 kështu nuk ka marrë vetëm një logo, por një simbol që synon ta tregojë historinë e saj në një gjuhë moderne.





