Përgatiti: Krenare Mulliqi
Ndonëse Ligji për Zyrtarë Publikë nuk u përmirësua nga Kuvendi siç kërkon Gjykata Kushtetuese, presidentja e dekretoi atë. Nga 8 nene të cilat Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi, ligji u dekretua pa u përmirësuar paragrafët 3 dhe 5 i nenit 9.
Ky nen përcakton kriteret e përgjithshme për pranim të zyrtarit publik, ndërsa Kushtetuesja ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” s’është në përputhje me garancitë kushtetuese.
As në nenin 27 në të cilin janë përcaktuar të drejtat e zyrtarëve publikë nuk u përmirësua paragrafi 3, me të cilin parashihet që nëpunësit civilë të paraqesin ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, në rast të cenimit të së drejtës së punës.
Në këtë ligj, sipas kërkesës së Kushtetueses, u përmirësua neni 12. Në të u ndryshua paragrafi 2, në të cilin ishte paraparë që Qeveria t’i raportojë Kuvendit për gjendjen e zyrtarëve publikë, deri më 31 mars për çdo vit kalendarik. Edhe nenet 67, 88 dhe 104 u përmirësuan.
Anëtarë të Komisionit për Administratë Publike thanë se nuk u lejuan t’i përmirësojnë nenet.
Kritika për dekretim të Ligjit nga ana e presidentes, kanë edhe anëtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ndërkaq, përmes një përgjigje për ATV-në, Presidenca njoftoi se nuk është detyrë e saj përmirësimi i ligjeve dhe se do të kërkojë nga Kuvendi ta rregullojë çështjen.
“Përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit. Nëse ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së Ligjit nga ana e Kuvendit, Presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim, në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike”, thuhet në përgjigjen e Bekim Kupinës, këshilltar për media i presidentes.
Pasi ishte miratuar në Kuvend, Ligjin për zyrtarë Publikë partitë opozitare e patën dorëzuar në Gjykatën Kushtuese.