Presidenti i Federatës Turke, Ibrahim Haciosmanoglu, ka bërë një deklaratë të fortë para ndeshjeve të play-offit për Kupën e Botës, duke nënvlerësuar kundërshtarët e Turqisë, përfshirë edhe Kombëtaren e Kosovës, të cilën e vendosi në të njëjtin nivel me Sllovakinë dhe Rumaninë.
Ai theksoi se Turqia duhet të fitojë pa diskutim këto përballje, duke shtuar se në të kundërt, nuk e meriton pjesëmarrjen në Botëror.
“Të gjithë e duam Botërorin si shtet. Shpresoj që Zoti të na japë forcë për t’i kaluar këto sfida, duke filluar nga nesër. Kupa e Botës na pret. Me dëshirën e Zotit do të arrijmë atje dhe do të jemi të suksesshëm. Ne besojmë në suksesin tonë,” deklaroi ai.
Haciosmanoglu shtoi se që nga momenti i shortit, e ka konsideruar Turqinë si favorite dhe përballjen si mjaft të favorshme.
“E kam thënë gjithmonë këtë, edhe pse disa mund të ofendohen. Nuk kam dashur të nënvlerësoj askënd. Kemi një skuadër cilësore dhe me karakter, që i meriton të gjitha. Shorti ynë është i mirë dhe shpresoj që, me ndihmën e Zotit, t’i kalojmë këto dy ndeshje pa probleme,” u shpreh ai.
Kujtojmë se në rast se Turqia fiton ndaj Rumanisë dhe Kosova eliminon Sllovakinë, finalja do të zhvillohet në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.






