Power: Qysh më 1999 e pash vendosmërinë e kosovarëve për të ndërtuar të ardhmen, një Kosovë të pavarur

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për lidhjen e saj me Kosovën në kohën e luftës në vitin 1999, ku në atë kohë ishte në pozitën e gazetares që kishte përcjellë nga afër eksodin e shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.

“Unë dikur kam qenë gazetare. Karrierën time e fillova si korrespondente e luftës në Bosnie, gjatë kohës kur ish-Jugosllavia po kolapsonte dhe njerëzit po kalonin nëpër vuajtje të shumta. Këtu kam ardhur në vitin 1999, në kohën kur shqiptarët etnik po hynin masovikisht në shtete fqinje. Fillimisht isha në Maqedoni dhe po intervistoja njerëzit që po kalonin kufirin dhe po hynin në këtë vend dhe po mësoja se cilat ishin arsyet që po i shyenin të iknin nga vendi i tyre. Ishin rrethanat shumë të vështira këtu që kishin të bëjnë me luftën. Pastaj, hyra në Kosovë bashkë me njerëzit që po ktheheshin prapa dhe po zbulonin se ç’kishte ndodhur me shtëpitë dhe familjarët e tyre. Qysh atëherë pashë tek ata vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme më të shndritshme në Kosovë, në Kosovën e pavarur, e cila u realizua më vonë”, tregon Power.

Ajo thotë se tani i duket e pabesueshme që është rikthyer prapë, tani në cilësinë e Administratores së USAID-it.

“USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliardë dollarë amerikan për të rritur mundësitë e punësimit dhe fitimit, ndërtuar sundimin e ligjit, themeluar gjyktatë përfshirë atë komerciale, fuqizuar mediet e pavarura. Pra, tani kam shumë më tepër vegla në dispozicion krahasuar me kohën e atëhershme kur kisha vetëm një çantë shpine, një laps dhe fletore për të marrë shënime. Por, më duhet të them se gjatë jetës sime, ambicia më ka mbetur e njëjtë, e që është bërja e asaj që një person mund të bëj për t’u ndihmuar njerëzve të kenë jetë dinjitoze, të lirë dhe me mundësi që të prosperojnë. Tani ndjehem me fat që jam këtu dhe kam mundësinë të bisedoj me kosovarët lidhur me atë se çka mendojnë ata se mund të bëj SHBA-ja për të ndihmuar në këtë fazë të rritjes dhe zhvillimit të Kosovës”, tha Power. /atvlive.tv

Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA