Përgatiti: Driton Sadiku
Patrullimet e policisë ishin të zakonshme, por jo edhe dënimet.
Qytetarët që thyen rregullat e trafikut, këtë të mërkurë morën gjoba më të larta se më herët.
Policia nis menjëherë zbatimin e Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi sot më 3 prill.
“Kemi vazhduar menjëherë qysh mbrëmë në mesnatë edhe ndëshkimin e kundërvajtësve, por ka vazhduar edhe largimi i automjeteve, sidomos atyre që janë të paregjistruara”, tha drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.
Ndryshimi i gjobave për nga vlera monetare sipas nënkolonelit Jeton Rexhepi, erdhi si shkak i numrit të madh të aksidenteve në trafik.
“Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, janë analizuar kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik me lëndime dhe persona të vdekur, andaj bazuar në të gjitha këto analiza e statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim”, tha Rexhepi.
Me këto ndryshime pajtohen edhe qytetarët, megjithëse propozojnë edhe forma të tjera që do mund të ndikonin në parandalimin e aksidenteve.
“E përkrahi shumë edhe ndoshta ka me ndiku shumë, por ndëshkimet janë të vogla sidomos për telefon e kisha bo 1000 euro”, tha Latif Kaqandolli, qytetar.
“Duhet më shumë me vendosë kamera me fotografu shpejtësinë se p.sh. kur dalin në autostradë s’ka kamera edhe bëhen aksidente”, tha Xhevdet Kaqiu, qytetar.
Me ligjin e ri, qytetarët për mosvendosje të rripit të sigurisë do të dënohen me 150 euro, ndërkaq ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes do të dënohen deri në 500 euro dhe marrje të patentës për një vit.
Gjoba pothuajse të njëjta do të marrin edhe ata që bëjnë gara me makina dhe ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.