Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me grabitjen e armatosur që ka ndodhur dje gjatë ditës në Prishtinë.
Sipas policisë katër persona të dyshuar kanë shtënë në drejtim të tre viktimave, punëtor të kompanisë për bartjen e parave, raporton KosovaPress.
Sipas policisë, njëri nga të dyshuarit dhe një nga viktimat si pasojë e të shtënave me armë kanë pësuar lëndime.
“Është raportuar për një rast grabitje në parkingun e një qendre tregtare, ku katër persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tre viktimave meshkuj kosovarë punëtorë të kompanisë për bartjen e parave. Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit lëndime trupore kanë pësuar njëri nga viktimat i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK Prishtinë, si dhe një i dyshuar. Të dyshuarit tjerë kanë ikur me një veturë në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes sipas policisë janë gjetur dhe sekuestruar një armë e zjarrit me një karikator dhe pesë fishekë.
“I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.