Përgatiti: Krenare Mulliqi
Mbi një mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë fituar deri tash padinë ndaj qeverisë, për ta marrë pagën e 13-të, për vitet 2018-2021. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk i ka marrë këto para, meqë ende nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave.
Paditë e policëve nisën në nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës. Kjo u nxit edhe nga mendimi juridik që e dha Gjykatës Supreme.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se nga janari i këtij viti janë aktivizuar edhe përmbaruesit, prandaj katër pagat e 13-ta mund t’u dalin së shpejti.
“Tani më ka ndërhyrë përmbaruesi privat dhe përmes tij do të realizohen këto pagesa, kam informacione se veç është dërguar një listë e cila duhet të ekzekutohet”, tha Zeqiri.
Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.
Në anën tjetër, Zeqiri tregon se vlera totale e këtyre pagave për zyrtarët policorë është afër 30 milionë euro. Pjesa më e madhe, sipas tij, tashmë i kanë dorëzuar paditë.
“Të gjithë pjesëtarët e policisë e kanë të drejtë, mund të themi sa ka ba padi unë mendoj se deri tani shumica kanë bërë padi, është numër shumë i vogël të cilët nuk e kanë adresuar padi në drejtim të gjykatës për të realizuar këtë të drejtë”, tha Zeqiri.
Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës i miratuar në 2018, i cili u jep këtë të drejtë policëve, u shkëput njëanshëm nga Qeveria më 2022.






