Garat shtesë të elitës së basketbollit kosovar po zhvillohen me intensitet të jashtëzakonshëm, ndërsa atmosfera nëpër palestra është elektrizuese. “Play-off”-i i ProCredit Superligës ka sjellë spektakël të vërtetë, me përballje të forta dhe tribuna të mbushura plot pasion.
Seritë gjysmëfinale kanë shkuar në barazim 1:1, duke paralajmëruar fundjavë vendimtare për katër skuadrat që synojnë finalen.
Palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë skenë e një tjetër super derbi, ku do të përballen Trepça dhe Sigal Prishtina. ‘Xehetarët’ fituan takimin e parë me rezultat bindës 80:65, por ‘bardhekaltrit’ kthyen serinë në Prishtinë, duke triumfuar 90:83 pas vazhdimeve dramatike. Tani, të dyja skuadrat kërkojnë fitoren për të bërë hapin e madh drejt finales.
Në anën tjetër, në Prizren, Bashkimi dhe Peja do të matin forcat në një përballje vendimtare. Prizrenasit morën fitoren në sfidën e parë me rezultat 81:61, por pejanët reaguan në përballjen e dytë, duke fituar 84:79 dhe duke e barazuar serinë.
Sipas formatit të garës, skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale, ndërsa për t’u shpallur kampion nevojiten katër fitore në serinë finale.
Basketbolli kosovar është në kulmin e tij – dhe fundjava do të tregojë cilat dy skuadra do të luftojnë për kurorën e kampionit.